Tiranë, më 11.2.2026

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Klodjan Braho, në ushtrim të kompetencës së Komisionerit Publik, autorizoi z. Adnan Xholi, me funksion, Prokuror pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ta përfaqësuar në seancën gjyqësore të dates 11.2.2026, lidhur me shqyrtimin gjyqësor të ankimit kundër vendimit nr. 778, datë 28.6.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj.Vjollca Spahiu.

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, përfaqësuesi i Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme z. Adnan Xholi deklaroi se gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Kolegj, subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet provave të reja, shpjegimeve bindëse e të arsyeshme arriti të provojë të kundërtën e ankimit për kriterin e pasurisë. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, z. Adnan Xholi i kërkoi përfundimisht Kolegjit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 778, datë 28.06.2024.

Subjekti i rivlerësimit e vlerësoi objektiv dhe të drejtë qëndrimin e përfaqësuesit të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme për ligjshmërinë e provave të reja, si dhe kërkimin e tij përfundimtar, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Znj. Vjollca Spahiu, përfundimisht, i kërkoi Kolegjit mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik dhe pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 36/2024, datë 09.09.2024.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor të çështjes dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për marrjen e vendimit përfundimtar, të cilin do ta shpallë më datë 12.02.2026, ora 16:00.

Ankimi është publikuar në faqen zyrtare të SPAK-ut, në rubrikën “Procesi i rivlerësimit”:  https://spak.gov.al/.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, referuar nenit 179/b, pika 8 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ushtron kompetencat e Komisionerëve Publikë, që prej datës 1.1.2025.

PDF