NJËSIA LIGJORE

Eriona Xhaferi

Këshilltare ekonomike

Znj. Xhaferi është diplomuar në vitin 2004 në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës me diplomë DND, në degën Financë. Në vitin 2008 ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, me diplomë “Master profesional” në Studime Ekonomike Europiane. Znj. Xhaferi ka një eksperiencë të gjatë në sistemin bankar, pranë të cilit është punësuar që prej vitit 2004 deri në shkurt të vitit 2018. Deri në vitin 2007, znj. Xhaferi ka punuar si specialiste finance pranë Departamentit të Financës, në periudhën 2007 – 2010 ka punuar si specialiste pranë Departamentit të Kontrollit të Brendshëm, që prej vitit 2010 deri në shkurt të vitit 2018 znj. Xhaferi ka mbajtur pozicionin e Zëvendësdrejtorit të Departamentit të Kontrollit të Brendshëm pranë një prej bankave kryesore të nivelit të dytë në Shqipëri. Ka kryer trajnime dhe zotëron disa dëshmi lidhur njohjen e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar për bankat, njohjen dhe parandalimin e mashtrimit, auditimin e brendshëm të sistemit financiar dhe menaxhimin e riskut etj.Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane. Prej marsit të vitit 2018, znj. Xhaferi është emëruar Këshilltare ekonomike pranë Njësisë Ligjore, Institucioni i Komisionerëve Publikë.

 

Geldjon Hysolli

Këshilltar ligjor

Z. Geldjon Hysolli në vitin 2009 është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate shumë të mira, dhe në vitin 2011 ka përfunduar studimet “Master”, profili “E Drejta Publike dhe Kushtetuese”, në Universitetin Europian të Tiranës. Në vitin 2012 është pajisur me licencën e Avokatit, pranë Dhomës së Avokatisë, Tiranë. Përpara angazhimit aktual si Këshilltar në Njësinë Ligjore pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, z. Hysolli ka qenë pjesë e Shërbimit Juridik në Kuvendin e Shqipërisë, duke punuar me përkushtim dhe profesionalizëm në përmbushje të detyrave në procesin ligjvënës, kontrollin parlamentar, përfaqësimin e Kuvendit në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe në Gjykatën Kushtetuese etj. Gjatë eksperiencës profesionale 8-vjeçare në Kuvendin e Shqipërisë ka marrë pjesë në shumë specializime, konferenca dhe seminare jashtë vendit, kryesisht për çështje të procesit ligjvënës, sigurisë kombëtare, zgjerimit europian, kontrollin parlamentar etj. Z. Hysolli zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe ka njohuri të mira të gjuhës italiane.

 

Ermela Zaimi

Këshilltare ligjore

Zj. Ermela Zaimi është diplomuar “Juriste” në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate shumë të mira. Ka një përvojë pune mbi 15 vite, me angazhime dhe një eksperiencë profesionale në disiplina të ndryshme të së drejtës, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Nga viti 2000 deri në vitin 2004 ka punuar si konsulente ligjore në shoqëritë tregtare me kapital privat. Nga viti 2004 deri në vitin 2009 ka punuar si zëdhënëse e Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2009 filloi punë pranë bankës Societe Generale Albania sh.a. deri në shkurt të vitit 2018, ku shërbeu për rreth 9 vjet si juriste në Drejtorinë e Përgjithshme, pranë Departamentit të Menaxhimit të Riskut. Gjatë eksperiencës së saj të punës ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në lidhje me menaxhimin e çështjeve gjyqësore, prokurimin publik, legjislacionin bankar,  mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe menaxhimin  e  kontratave  të  punimeve  civile  dhe  atyre të konsulencës. Në vitin 2015 ka përfunduar programin 2-vjeçar “Master” për “EU Bussiness Law”, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane.

 

Jetmira Rragami

Këshilltare ligjore

Znj. Jetmira Rragami është diplomuar “Juriste” në vitin 2003, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Në vitin 2008 ka përfunduar studimet “Master” pranë Departamentit të së Drejtës Civile, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2018 ka përfunduar, po pranë këtij Universiteti, studimet doktorale dhe aktualisht mban gradën shkencore “Doktor”. Në vitin 2004 është pajisur me licencën e avokatisë. Karriera e saj profesionale ka nisur në vitin 2004 dhe deri në vitin 2008 ka ushtruar detyrën si specialiste/juriste në zyrën juridike pranë OSHEE-së (KESH/DVSH), Shkodër dhe njëkohësisht si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë, USH “Luigj Gurakuqi”. Nga tetori i vitit 2008 deri në gusht të vitit 2014, znj. Rragami është punësuar si pedagoge e brendshme dhe më pas përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike pranë Universitetit “Kristal”. Më tej, ajo ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në pozicionin e juristes, në Sektorin e Përafrimit të Legjislacionit, pranë Drejtorisë Juridike. Ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e dispozitave zbatuese të ligjit 102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”. Ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit, si dhe është autore dhe bashkautore e një sërë artikujsh të botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Fushat e interesit janë kryesisht në të drejtën e krahasuar dhe në të drejtën tregtare. Zotëron gjuhën angleze, italiane, si dhe ka njohuri të gjuhës frënge. Nga shkurti i vitit 2018, znj. Rragami ushtron detyrën e Këshilltares ligjore pranë Njësisë Ligjore në Institucionin e Komisionerëve Publikë.

 

Luljeta Sulaj

Këshilltare ekonomike

Znj. Sulaj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, pranë Universitetit të Tiranës, në vitin 1987. Ka përfunduar studimet “Master për Administrim Publik”, program i Universitetit të Nebraskës, pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në vitin 2007. Mban titullin “Audit i Brendshëm në Sektorin Publik” që nga viti 2006 dhe “Ekspert fiskal” që nga viti 2008. Zotëron gjuhën angleze dhe është njohëse e mirë e gjuhës italiane. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh profesionale brenda dhe jashtë vendit, kryesisht për çështje të antikorrupsionit, të mashtrimit me fondet publike, të menaxhimit financiar, të auditimit publik, të inspektimit, të hetimit administrativ, të abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjeve etj. Ka eksperiencë të gjatë profesionale kryesisht në sektorin publik, por edhe në atë privat. Ka punuar si inspektore për çështjet ekonomike pranë Njësisë Antikorrupsion dhe në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave në vitet 2001 – 2006, inspektore në Departamentin e Kontrollit të Projekteve dhe Investimeve me Financime të Huaja pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit 2006 – 2007, inspektore në Drejtorinë e Mbikëqyrjes dhe Hetimit të Tregjeve pranë Autoritetit të Konkurrencës 2008 – 2018. Më herët ka punuar në sektorin privat, si specialiste finance pranë një kompanie të huaj për nxjerrjen e naftës “Kitari Oil”, si audite pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Qendrave Studentore, si dhe specialiste për çështjet administrative dhe financiare në shoqata jofitimprurëse, për projekte të financuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare etj.

 

Alfred Avdulaj

Këshilltar ligjor

Z . Alfred Avdulaj në vitin 2000 është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Përpara angazhimit aktual në funksionin e Këshilltarit ligjor, duke filluar nga muaji korrik 2001 deri më shkurt 2018, ka shërbyer në pozicione të ndryshme në strukturat juridike në disa ministri (Ministritë e Brendshme, Transportit, Zhvillimit Urban, Energjisë dhe Infrastrukturës), si dhe inspektor në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Gjatë eksperiencës profesionale 17-vjeçare, në Administratën Publike, në nivel qendror, ka marrë pjesë në shumë specializime, konferenca dhe seminare brenda dhe jashtë vendit, kryesisht për çështje të procesit ligjvënës, të përafrimit të legjislacionit me Acqui të BE-së, të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë, të planifikimit dhe zhvillimit urban. Me motivimin për t’i shërbyer forcimit dhe rritjes së njohurive profesionale të nëpunësve publikë është angazhuar prej 2 vjetësh si trajner në Shkollën e Adminstratës Publike. Z. Avdulaj zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe ka njohuri të mira të gjuhës italiane.