INSTITUCIONI I KOMISIONERËVE PUBLIKË

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b të Kushtetutës dhe aneksit kushtetues. Mandati i Institucionit të Komisionerëve Publikë është 5 vjet nga data e fillimit të funksionimit dhe Komisionerët Publikë, referuar nenit C, pika 3, të aneksit të Kushtetutës, gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë gjatë mandatit të tyre.

Referuar nenit C, pika 2, të aneksit të Kushtetutës, Institucioni i Komisionerëve Publikë përfaqëson interesin publik gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar, si element kyç i të gjithë procesit të reformës në drejtësi, proces i cili ka për qëllim garantimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë në sistemin e drejtësisë, si edhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Institucioni i Komisionerëve Publikë, si institucion kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, ushtron kompetencat e tij mbi bazën e parimeve të barazisë para ligjit, të kushtetueshmërisë e ligjshmërisë, të proporcionalitetit dhe të parimeve të tjera që garantojnë të drejtën e subjekteve të rivlerësimit për një proces të rregullt ligjor. Komisionerët Publikë dhe njësia e shërbimit  ligjor trajtojnë informacionin për procedurën e rivlerësimit, në respektim të parimit të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Misioni dhe kompetencat e Komisionerëve Publikë

  • MISIONI

  • “Të përfaqësojmë interesin e publikut në procesin e rivlerësimit kalimtar nëpërmjet ushtrimit të të drejtës së ankimit kundër vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke u udhëhequr nga parimi i paanësisë dhe pavarësisë, procesit të rregullt ligjor, transparenca dhe fryma e bashkëpunimit, me qëllim rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.”
  • KOMPETENCAT

Si një ndër organet që kryen procesin e rivlerësimit, referuar nenit 5/1 të ligjit nr.84/2016, kompetencat e Institucionit të Komisionerëve Publikë janë:

a. Ushtron ankim ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ankim i cili shqyrtohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese (neni 179/b/5 i   Kushtetutës, nenet C, pika 2, F, pika 2, F, pika 7, të aneksit të Kushtetutës dhe neni 63/1 i ligjit nr. 84/2016).

b. Përgatit raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për të paraqitur ankim në  Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (neni B, germa “c”, i aneksit të Kushtetutës).

c. Miraton rregulla për veprimtarinë e institucionit (neni 69/3 i ligjit nr. 84/2016).

Për të përmbushur të gjitha detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji, Komisionerët Publikë mbështeten nga Njësia e Shërbimit Ligjor dhe Njësia Administrative.

ORGANIGRAMA

Me Vendimin nr. 102/2018 të Kuvendit të Shqipërisë, për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e Kuvendit nr. 94/2017, është miratuar struktura organizative e Institucionit të Komisionerëve Publikë.