16.11.208
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit të paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Komisioneri Publik në fillim të seancës gjyqësore kërkoi që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të vendosë lidhur me kërkesën për riçeljen e një hetimi tërësor ose të pjesshëm, me qëllim marrjen e provave për secilin nga shkaqet e ankimimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Pasi u tërhoq për vendim, në vijim të seancës gjyqësore, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendosi riçeljen e pjesshme të hetimit gjyqësor, për marrjen e provave të kërkuara në ankimin e Komisionerit Publik dhe caktoi zhvillimin e seancës gjyqësore të radhës, më datë 11.12.2018.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.