20.12.2018
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit të paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Në seancën e sotme, Trupa Gjykuese vendosi të marrë si provë të re një deklaratë noteriale të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit, gjatë shpjegimeve të tij, për mënyrën e arkëtimit të vlerës së shitjes të autoveturës “Range Rover”.
Trupa Gjykuese vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore për t’i kërkuar Njësisë ligjore pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vlerësojë efektin e provave të reja të marra gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Seanca e radhës u caktua më datë 15.1.2019, ora 12:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.