20.3.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Faqolli, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.

Komisioneri Publik gjatë parashtrimeve për aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të refuzojë administrimin e tyre si prova, për zvarritje të qëllimshme të gjykimit, në  referencë të nenit 49, pika 6, shkronja ç e ligjit nr. 84/2016.

Komisioneri Publik u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Astrit Faqolli.

Trupa Gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi të pranojë një pjesë të akteve të depozituara nga subjekti i rivlerësimit, të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe, me kërkesë të subjektit të rivlerësimit, të shtyjë seancën gjyqësore, më datë 21.3.2019, duke i dhënë kohë të përgatisë parashtrimet përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij  institucioni: http://ikp.al/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF