RRETH NESH

INSTITUCIONI I KOMISIONERËVE PUBLIKË

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b të Kushtetutës dhe aneksit kushtetues. Mandati i Institucionit të Komisionerëve Publikë përfundon në datën 31.12.2024. Komisionerët Publikë, referuar nenit C, pika 3, të aneksit të Kushtetutës, gëzojnë statusin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.

Referuar nenit C, pika 2, të aneksit të Kushtetutës, Institucioni i Komisionerëve Publikë përfaqëson interesin publik gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit kalimtar, si element kyç i të gjithë procesit të reformës në drejtësi, proces i cili ka për qëllim garantimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë në sistemin e drejtësisë, si edhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Institucioni i Komisionerëve Publikë, si institucion kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, ushtron kompetencat e tij mbi bazën e parimeve të barazisë para ligjit, të kushtetueshmërisë e ligjshmërisë, të proporcionalitetit dhe të parimeve të tjera, që garantojnë të drejtën e subjekteve të rivlerësimit për një proces të rregullt ligjor. Komisionerët Publikë dhe Njësia e Shërbimit Ligjor trajtojnë informacionin për procedurën e rivlerësimit, në respektim të parimit të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

 

Misioni dhe kompetencat e Komisionerëve Publikë

MISIONI

  • “Të përfaqësojmë interesin e publikut në procesin e rivlerësimit kalimtar nëpërmjet ushtrimit të të drejtës së ankimit kundër vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke u udhëhequr nga parimi i paanësisë dhe pavarësisë, procesit të rregullt ligjor, transparenca dhe fryma e bashkëpunimit, me qëllim rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.”

KOMPETENCAT

Si një ndër organet që kryen procesin e rivlerësimit, referuar nenit 5/1 të ligjit nr.84/2016, kompetencat e Institucionit të Komisionerëve Publikë janë:

a. Ushtron ankim ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ankim i cili shqyrtohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese (neni 179/b/5 i   Kushtetutës, nenet C, pika 2, F, pika 2, F, pika 7, të aneksit të Kushtetutës dhe neni 63/1 i ligjit nr. 84/2016).

b. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u jep Komisionerëve Publikë rekomandime me shkrim, për të paraqitur ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit (neni B, germa “c”, i aneksit të Kushtetutës);

c. Miraton rregulla për veprimtarinë e institucionit (neni 69/3 i ligjit nr. 84/2016).

Për të përmbushur të gjitha detyrat e ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji, Komisionerët Publikë mbështeten nga Njësia e Shërbimit Ligjor dhe Njësia Administrative.