NJËSIA LIGJORE

Eriona Xhaferi

Këshilltare ekonomike

Znj. Eriona Xhaferi është diplomuar në vitin 2004 në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës me diplomë DND, në degën Financë. Në vitin 2008 ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, me diplomë “Master profesional” në Studime Ekonomike Europiane. Znj. Xhaferi ka një eksperiencë të gjatë në sistemin bankar, pranë të cilit është punësuar që prej vitit 2004 deri në shkurt të vitit 2018. Deri në vitin 2007, znj. Xhaferi ka punuar si specialiste finance pranë Departamentit të Financës, në periudhën 2007 – 2010 ka punuar si specialiste pranë Departamentit të Kontrollit të Brendshëm, që prej vitit 2010 deri në shkurt të vitit 2018 znj. Xhaferi ka mbajtur pozicionin e Zëvendësdrejtorit të Departamentit të Kontrollit të Brendshëm pranë një prej bankave kryesore të nivelit të dytë në Shqipëri. Ka kryer trajnime dhe zotëron disa dëshmi lidhur njohjen e standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar për bankat, njohjen dhe parandalimin e mashtrimit, auditimin e brendshëm të sistemit financiar dhe menaxhimin e riskut etj.Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane. Prej marsit të vitit 2018, znj. Xhaferi është emëruar Këshilltare ekonomike pranë Njësisë Ligjore, Institucioni i Komisionerëve Publikë.

 

Ermela Zaimi

Këshilltare ligjore

Znj. Ermela Zaimi është diplomuar “Juriste” në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, me rezultate shumë të mira. Ka një përvojë pune mbi 15 vite, me angazhime dhe një eksperiencë profesionale në disiplina të ndryshme të së drejtës, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Nga viti 2000 deri në vitin 2004 ka punuar si konsulente ligjore në shoqëritë tregtare me kapital privat. Nga viti 2004 deri në vitin 2009 ka punuar si zëdhënëse e Gjykatës së Tiranës. Në vitin 2009 filloi punë pranë bankës Societe Generale Albania sh.a. deri në shkurt të vitit 2018, ku shërbeu për rreth 9 vjet si juriste në Drejtorinë e Përgjithshme, pranë Departamentit të Menaxhimit të Riskut. Gjatë eksperiencës së saj të punës ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në lidhje me menaxhimin e çështjeve gjyqësore, prokurimin publik, legjislacionin bankar,  mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe menaxhimin  e  kontratave  të  punimeve  civile  dhe  atyre të konsulencës. Në vitin 2015 ka përfunduar programin 2-vjeçar “Master” për “EU Bussiness Law”, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane.

 

Jetmira Rragami

Këshilltare ligjore

Znj. Jetmira Rragami është diplomuar “Juriste” në vitin 2003, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Në vitin 2008 ka përfunduar studimet “Master” pranë Departamentit të së Drejtës Civile, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2018 ka përfunduar, po pranë këtij Universiteti, studimet doktorale dhe aktualisht mban gradën shkencore “Doktor”. Në vitin 2004 është pajisur me licencën e avokatisë. Karriera e saj profesionale ka nisur në vitin 2004 dhe deri në vitin 2008 ka ushtruar detyrën si specialiste/juriste në zyrën juridike pranë OSHEE-së (KESH/DVSH), Shkodër dhe njëkohësisht si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Drejtësisë, USH “Luigj Gurakuqi”. Nga tetori i vitit 2008 deri në gusht të vitit 2014, znj. Rragami është punësuar si pedagoge e brendshme dhe më pas përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike pranë Universitetit “Kristal”. Më tej, ajo ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në pozicionin e juristes, në Sektorin e Përafrimit të Legjislacionit, pranë Drejtorisë Juridike. Ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e dispozitave zbatuese të ligjit 102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”. Ka kryer një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit, si dhe është autore dhe bashkautore e një sërë artikujsh të botuar në revista kombëtare dhe ndërkombëtare. Fushat e interesit janë kryesisht në të drejtën e krahasuar dhe në të drejtën tregtare. Zotëron gjuhën angleze, italiane, si dhe ka njohuri të gjuhës frënge. Nga shkurti i vitit 2018, znj. Rragami ushtron detyrën e Këshilltares ligjore pranë Njësisë Ligjore në Institucionin e Komisionerëve Publikë.

 

Luljeta Sulaj

Këshilltare ekonomike

Znj. Luljeta Sulaj ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, pranë Universitetit të Tiranës, në vitin 1987. Ka përfunduar studimet “Master për Administrim Publik”, program i Universitetit të Nebraskës, pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në vitin 2007. Mban titullin “Audit i Brendshëm në Sektorin Publik” që nga viti 2006 dhe “Ekspert fiskal” që nga viti 2008. Zotëron gjuhën angleze dhe është njohëse e mirë e gjuhës italiane. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh profesionale brenda dhe jashtë vendit, kryesisht për çështje të antikorrupsionit, të mashtrimit me fondet publike, të menaxhimit financiar, të auditimit publik, të inspektimit, të hetimit administrativ, të abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjeve etj. Ka eksperiencë të gjatë profesionale kryesisht në sektorin publik, por edhe në atë privat. Ka punuar si inspektore për çështjet ekonomike pranë Njësisë Antikorrupsion dhe në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm dhe Antikorrupsion pranë Këshillit të Ministrave në vitet 2001 – 2006, inspektore në Departamentin e Kontrollit të Projekteve dhe Investimeve me Financime të Huaja pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit 2006 – 2007, inspektore në Drejtorinë e Mbikëqyrjes dhe Hetimit të Tregjeve pranë Autoritetit të Konkurrencës 2008 – 2018. Më herët ka punuar në sektorin privat, si specialiste finance pranë një kompanie të huaj për nxjerrjen e naftës “Kitari Oil”, si audite pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Qendrave Studentore, si dhe specialiste për çështjet administrative dhe financiare në shoqata jofitimprurëse, për projekte të financuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare etj.

 

Alfred Avdulaj

Këshilltar ligjor

Z . Alfred Avdulaj në vitin 2000 është diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Përpara angazhimit aktual në funksionin e Këshilltarit ligjor, duke filluar nga muaji korrik 2001 deri më shkurt 2018, ka shërbyer në pozicione të ndryshme në strukturat juridike në disa ministri (Ministritë e Brendshme, Transportit, Zhvillimit Urban, Energjisë dhe Infrastrukturës), si dhe inspektor në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Gjatë eksperiencës profesionale 17-vjeçare, në Administratën Publike, në nivel qendror, ka marrë pjesë në shumë specializime, konferenca dhe seminare brenda dhe jashtë vendit, kryesisht për çështje të procesit ligjvënës, të përafrimit të legjislacionit me Acqui të BE-së, të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë, të planifikimit dhe zhvillimit urban. Me motivimin për t’i shërbyer forcimit dhe rritjes së njohurive profesionale të nëpunësve publikë është angazhuar prej 2 vjetësh si trajner në Shkollën e Adminstratës Publike. Z. Avdulaj zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe ka njohuri të mira të gjuhës italiane. 

 

Mirela Këllezi

Këshilltare ekonomike

Znj. Mirela Këllezi zotëron diplomën universitare “Ekonomist” nga Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2006 përfundoi studimet “Master” në “Administrim Publik”, pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës. Ka një eksperiencë të gjatë mbi menaxhimin administrativ e financiar të projekteve lokale dhe ndërkombëtare, pranë organizatave ndërkombëtare dhe në administratën publike. Gjatë periudhës 1999 – 2013 ka punuar pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më pas është angazhuar si menaxhere finance për projektin: IPA “SEE/D/0335/1.3/X – Noble Ideas”, pranë Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe në projektin Erasmus+, “Skemat e Praktikës për Punësimin e të Rinjve në Shqipëri”, pranë Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Znj. Këllezi ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh profesionale mbi financimet publike dhe të huaja, mbi sistemet globale të administrimit dhe financimit të fondeve, raportimet financiare, prokurimet publike, shpenzimet dhe të ardhurat. Zotëron gjuhën angleze dhe ka njohuri të gjuhës italiane dhe gjermane. Nga dhjetori i vitit 2018, znj. Mirela Këllezi ushtron detyrën e Këshilltares ekonomike pranë Njësisë Ligjore, në Institucionin e Komisionerëve Publikë. 

 

Ermira Shtino

Këshilltare ligjor

Znj. Ermira Shtino është diplomuar “Juriste” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Bukureshtit. Përpara angazhimit aktual në funksionin e Këshilltarit ligjor, deri më dhjetor 2018, ka shërbyer në pozicione të ndryshme në disa institucione qendrore: Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe pedagoge  e jashtme pranë Albanian University. Znj. Shtino ka qenë pjesë e grupeve të punës për hartimin e një sërë projektligjesh dhe, në cilësinë e ekspertit, ka marrë pjesë në negociatat për përafrimin e legjislacionit me Acquis communautaire të BE-së, si dhe ka kryer disa trajnime brenda dhe jashtë vendit. Fushat e saj të interesit janë: analiza ligjore, teknika legjislative, të drejtat e njeriut dhe politikat e legjislacionit europian. Në vitin 2006 është pajisur me licencën e avokatisë. Znj. Shtino zotëron gjuhën angleze, rumune dhe ka njohuri të mira të gjuhës italiane. 

 

Arjol Ago

Këshilltar ligjor

Z. Arjol Ago është diplomuar në vitin 2006 me titullin “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2013 ka përfunduar studimet “Master shkencor”, “Legjislacioni dhe Institucionet Europiane”, pranë Institutit të Studimeve Europiane, Universiteti i Tiranës. Në të njëjtin vit, z. Arjol Ago është licencuar si “Ndërmjetës” nga Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ai zotëron gjuhën angleze dhe italiane. Përpara angazhimit aktual si Këshilltar ligjor pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, në vitet 2007 – 2018, z. Ago ka qenë pjesë e Autoritetit të Konkurrencës, në ushtrimin e detyrës së Inspektorit pranë Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Tregut dhe Drejtorisë Juridike dhe Çështjeve Gjyqësore. Z. Arjol Ago ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në lidhje me procedurat e hetimit administrativ, zbulimin e praktikave antikonkurruese, marrëveshjet e ndaluara (kartel), inspektimin në ndërmarrje, hartimin e legjislacionit etj. 

 

Fatime Sulaj

Këshilltare ekonomike

Znj. Fatime Sulaj është diplomuar në vitin 2006 në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, në degën Financë Kontabilitet. Në vitin 2015 ka përfunduar studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, me diplomë “Master profesional”, në Administrim Biznes. Që nga viti 2012 mban titullin “Kontabilist i Miratuar” dhe ka kryer një sërë trajnimesh lidhur me njohjen e Standardeve Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Kontabilitetit dhe Analizës Financiare. Znj. Sulaj ka një eksperiencë të gjatë në sistemin bankar, që prej vitit 2007 deri në dhjetor të vitit 2018, dhe prej vitit 2013 ka mbajtur pozicionin e Drejtoreshës së Departamentit të Pagesave Ndërkombëtare. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe është njohëse e mirë e gjuhës italiane. Në janar 2019, znj. Sulaj është emëruar Këshilltare ekonomike pranë Njësisë Ligjore, në Institucionin e Komisionerëve Publikë.