17.12.2018

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit të paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Në seancën e sotme, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit analizuan vlerën provuese të provave, të marra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për gjykimin e kësaj çështjeje, me vendimin e ndërmjetëm të datës, 17.12.2018.

Komisioneri Publik u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe kërkoi hetimin dhe marrjen e provave të reja për secilin prej tyre.

Trupa gjykuese nuk e pranoi kërkesën e Komisionerit Publik dhe vendosi shtyrjen e seancës gjyqësore ditën e enjte, më datë 20.12.2018, ora 09:30, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit të shpjegojë dhe të provojë mënyrën e përfitimit të çmimit të shitjes së autoveturës “Range Rover”, me targë AA…

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni:  www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF