5.2.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit të paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në nisje të seancës, njoftoi palët për depozitimin në cilësinë e provës të dy shkresave zyrtare nga: Drejtoria e Tatimeve, Durrës dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, ku jepet informacion lidhur me tatimin e të ardhurave të babait të ndjerë, të subjektit të rivlerësimit, znj. Alma Brati, për periudhën 1999-2003, si dhe praktikën e regjistrimit të apartamentit në pronësi të saj.

Trupa gjykuese njoftoi se nuk kishte siguruar ende informacionin zyrtar nga autoritetet tatimore italiane për personat e lidhur me subjektin e rivlerësimit, të cilësuar si huadhënës. Kryesuesja e seancës konfirmoi se autoritetet shqiptare të drejtësisë e kanë nisur shkresën zyrtare më datë 28.12.2018 dhe, për të ndihmuar në lehtësimin e procedurave, kërkoi nga subjekti i rivlerësimit ta sillte ajo vetë këtë provë.

Komisioneri Publik, në komentet e tij për provat e depozituara dhe ato të munguara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ripërsëriti kërkesën që trupa gjykuese t’ia kalonte si barrë prove subjektit të rivlerësimit, sigurimin e deklaratës model 730, ku, veç të ardhurave, deklarohen edhe shpenzimet. Në këto rrethana, duke konsideruar se ky është një detyrim për huadhënësit në cilësinë  e personave të lidhur me subjektin e rivlerësimit, Komisioneri Publik kërkoi revokimin e vendimit për ta siguruar këtë deklaratë ex officio nga Kolegji.

Trupa gjykuese vendosi të mos pranojë kërkesën e Komisionerit Publik për revokim të vendimit në këtë moment të gjykimit dhe të shtyjë seancën më datë 11.3.2019, në pritje të sigurimit të provës nga autoritetet italiane ose nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF