26.4.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Gjatë seancës gjyqësore, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupa gjykuese të mos përfshijë në hetim dy denoncime të publikut dhe të administrojë në cilësinë e provës dokumente të reja, të depozituara në seancë.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij për dokumentet e referuara nga subjekti i rivlerësimit, lidhur me të ardhurat e prindërve, u shpreh se ato nuk provojnë mundësinë e krijimit të burimit të ligjshëm të pasurisë.

Trupa gjykuese vendosi të mos çelë hetim gjyqësor lidhur me denoncimet dhe të marrë në cilësinë e provës dokumentet e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit, për t’i përfshirë në analizën financiare.

Seanca e radhës u caktua më datë 22 maj, ora 10:00.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF