24.7.2019

Në datë 18.6.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita, gjyqtar/Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Vendimi nr. 161, datë 18.6.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të z. Kastriot Selita, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 24.7.2019.

Po sot, më datë 24.7.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF