16.7.2021

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besim Hajdarmataj, me funksion prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesi i trupit gjykues, pas verifikimit të pranisë së palëve pjesëmarrësve në gjykim, ftoi Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.

Komisioneri Publik, në parashtrim të bisedimeve përfundimtare, duke u qëndruar shkaqeve të ankimit dhe përmbajtjes së parashtrimeve me shkrim, të paraqitura gjatë gjykimit të çështjes, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj.

Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, fillimisht, përsëriti argumentet për mospranimin e ankimit. Në vijim, në bisedimet e tij përfundimtare, përfaqësuesi ligjor u qëndroi prapësimeve të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik. Ndërkohë, vetë subjekti i rivlerësimit kundërshtoi parashtrimet e Komisionerit Publik lidhur me vlerësimin e aftësive të tij profesionale dhe kërkoi, përfundimisht, lënien në fuqi të vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin e tij në detyrë.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi bisedimet përfundimtare të palëve, mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe, për shpalljen e vendimit, vendosi mbajtjen e seancës më datë 29.7.2021, ora 09:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF