KOMISIONERËT

Darjel Sina

Komisioner Publik

Z. Sina ka përfunduar studimet e postdoktoraturës në Universitetin e Cyrihut në Zvicër, me Bursën Federale Zvicerane të Ekselencës në fushën e së Drejtës Kushtetuese dhe Bankare. Komisioneri Sina ka përfunduar studimet e tij në doktoraturë, Master i Arteve dhe Bachelor në Universitetin Kapodistrian Kombëtar të Athinës/Fakulteti Juridik. Z. Sina mban titullin akademik Profesor i Asociuar që nga maji i vitit 2014. Eksperienca e fundit e punës së Komisionerit Sina ka qenë Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë. Më parë, z. Sina ka punuar studiues në Universitetin e Cyrihut dhe përpara kësaj eksperience ka punuar Dekan pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin Luarasi. Komisioneri Publik ka punuar në Universitetin Evropian të Tiranës si Profesor. Z. Sina ka pasur një eksperiencë si asistent Profesor në Universitetin Kapodistrian Kombëtar të Athinës, nën drejtimin e Profesor Andreas Dimitropoulos. Pas diplomimit të tij, z. Sina ka punuar për shumë vite asistent avokat në Athinë, Greqi.
 

 

Florian Ballhysa

Komisioner Publik

Z. Florian Ballhysa u lind në Tiranë, në vitin 1978. Kreu studimet e tij universitare pranë Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës, ku u diplomua në vitin 2001. Në vitin 2008, z. Ballhysa fitoi titullin “Master në Studime Evropiane” nga Universiteti i Tiranës. Eksperienca profesionale e z. Florian Ballhysa përfshin angazhimet e tij si avokat, këshilltar ligjor dhe konsulent i pavarur. Ai ka punuar për shumë vite në Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën e Lartë, Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në projekte të financuara nga organizata ndërkombëtare. Prej vitit 1999, z. Florian Ballhysa ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, në cilësinë e anëtarit të asamblesë, anëtarit të bordit dhe së fundmi kryetar i Asamblesë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Me vendimin nr. 82/2017, të Kuvendit të Shqipërisë, z. Florian Ballhysa u zgjodh Komisioner Publik.