28.8.2018

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Astrit Faqolli, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, kandidat për anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, konfirmimi në detyrë i subjektit të rivlerësimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është bërë në interpretim të gabuar të ligjit dhe të provave të administruara gjatë hetimit administrativ.

Komisioneri Publik, në zbatim të kompetencave të njohura nga neni C dhe F, i aneksit të Kushtetutës, referuar neneve 61/3 dhe 63, të ligjit nr. 84/2016, mbi të njëjtat prova të administruara nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që në përfundim të gjykimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 47, datë 25.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, z. Astrit Faqolli.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF