14.9.2018

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar në Gjykatën Administrative, Shkalla e Parë, Tiranë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për vlerësimin e aftësisë profesionale nuk është i plotë, duke u konsideruar i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Gentian Medja.

Mbështetur edhe në rekomandimin e komisionit të përfaqësuesve të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të kryejë rivlerësimin e aftësive profesionale të z. Gentian Medja, duke u bazuar në një metodologji, që përmban indikatorë objektivë për evidentimin e nivelit të përmbushjes së kritereve ligjore, të parashikuara në ligjin nr. 96/2016.

Bazuar në përmbajtjen e nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe pikës 2, të nenit 66, të ligjit nr. 96/2016, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi i sugjeron Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të orientojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi mënyrën e kryerjes në vazhdimësi të rivlerësimit të kriterit të aftësisë profesionale.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të Rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF