12.10.2018

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF