13.12.2018
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u shqyrtua ankimi i paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Komisioneri Publik në parashtrimet e çështjes njohu trupën gjykuese me shkaqet e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik, bazuar në faktet dhe provat e administruara, nuk është konform përcaktimeve kushtetuese e ligjore mbi kriterin e kontrollit të pasurisë, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që, nëse riçel hetimin gjyqësor, të marrë në konsideratë mangësitë e hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe në përfundim të gjykimit të çështjes të vendosë:
– Ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ndërkohë, në parashtrimet e saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Alma Brati, kundërshtoi ankimimin dhe deklaroi se ka dorëzuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit prova të reja bazuar në shkaqet e ankimimit të Komisionerit Publik.
Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 18.12.2018, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për t’u njohur me provat e reja, të depozituara nga subjekti i rivlerësimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF