13.12.2018

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i  ankimit, i paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 24, datë 13.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit njoftoi palët se konstatoi pamundësi absolute për shpalljen e vendimit, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Për këtë arsye, Trupa Gjykuese njoftoi se, duke e konsideruar si rast përjashtimor, bazuar në nenin 55, pika 2, të ligjit 49/2012, “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, vendosi të shtyjë shpalljen e vendimit, ditën e hënë, më datë 17.12.2018, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.  PDF