13.2.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u shqyrtua ankimi i paraqitur nga ky institucion kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, aktualisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komisioneri Publik në parashtrimet e çështjes njohu trupën gjykuese me shkaqet e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik nuk ka kryer një hetim të plotë, për të vendosur konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik theksoi nevojën për riçelje të hetimit dhe renditi, për secilin shkak të ankimit, listën e dokumentacionit që do të duhet të administrohet nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në parashtrimet e saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari, pretendoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte marrë në përfundim të një hetimi të plotë. Por gjatë mbrojtjes, subjekti i rivlerësimit paraqiti disa prova të reja, të cilat nuk ishin administruar më parë gjatë hetimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si dhe kundërshtoi pretendimet e ngritura në 10 denoncimet e publikut, që lidhen me kriterin e aftësisë profesionale.
Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi njoftoi se pranë këtij institucioni është depozituar edhe një denoncim tjetër, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 19.2.2019, për t’i dhënë mundësinë Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit të njihen me përmbajtjen e dokumentit të depozituar.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF