19.2.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u shqyrtua ankimi i paraqitur prej tij, kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, aktualisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi dëgjoi palët në parashtrimet e tyre, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të refuzojë kërkesën e përsëritur të Komisionerit Publik për riçeljen e hetimit administrativ, si dhe të mos pranojë akte të tjera të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, pasi çmoi se dokumentacioni në dosje është i mjaftueshëm për vendimmarrje.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën gjyqësore më datë 25.2.2019, ora 10.00, për t’i dhënë mundësinë Komisionerit Publik dhe subjektit të rivlerësimit të paraqesin parashtrimet e tyre përfundimtare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes, për çdo seancë të zhvilluar, janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF