28.2.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i  ankimit kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit znj. Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, aktualisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, deklaroi se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë dhe se, nga vlerësimi tërësor i të tria kritereve, ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Për këto arsye, Trupi Gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, me shumicë votash, bazuar në nenin D, pika 1 dhe 3 e aneksit të Kushtetutës, nenin 61, pika 3 dhe 5, nenin 66, pika 1, shkronja b, e ligjit nr. 84/2016,  “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, vendosi:

  1. Ndryshimin e vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Antoneta Sevdari.
  2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes, për çdo seancë të zhvilluar, janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF