11.3.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në nisje të seancës, njoftoi palët për depozitimin e dy dokumenteve të siguruara nga subjekti i rivlerësimit, lidhur me pagesën e taksave dhe mospasjes së detyrimeve financiare ndaj shtetit italian dhe të tretëve, të personave të cilësuar të lidhur me të, referuar juridiksionit të rivlerësimit.

Komisioneri Publik, në komentet e tij për provat e depozituara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, nga subjekti i rivlerësimit, deklaroi se personat e lidhur me subjektin e rivlerësimit nuk justifikojnë të ardhurat për huan 25 mijë euro dhe kursimet për shlyerjen e saj.

Trupa gjykuese, pasi u njoh me kërkesën e subjektit të rivlerësimit dhe paraqitjen e dokumenteve, vendosi t’i marrë ato si prova, bazuar në nenin 213, të Kodit të Procedurës Penale.

Kolegji i Apelimit, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të revokojë vendimin e ndërmjetëm, të marrë nga trupa gjykuese, më datë 18.12.2018, dhe të mos çelë hetimin, lidhur me tri denoncime të paraqitura në Kolegj nga shtetasit me inicialet: C. I., M. B., B. R., pasi sipas trupit gjykues rrethanat e parashtruara nuk përbëjnë prova për kriteret e vlerësimit dhe për shkak se çështjet janë ende në shqyrtim, përjashtohen nga rivlerësimi.

Trupa gjykuese vendosi gjithashtu të shtyjë seancën gjyqësore, më datë 25.3.2019 dhe të njohë subjektin e rivlerësimit me analizën financiare, që do të kryhet në Kolegj, si rrjedhojë e provave, të paraqitura nga subjekti dhe prova të tjera të marra, kryesisht nga trupi gjykues.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet e çështjes, janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 PDF