17.4.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij rreth disa akteve noteriale, të paraqitura rishtazi nga subjekti i rivlerësimit, u shpreh se ato nuk kanë fuqi provuese, pasi nuk janë marrë në zbatim të procedurës së parashikuar në Kodin e Procedurës Civile, për administrimin e thënieve të dëshmitarëve. Komisioneri Publik parashtroi po ashtu se disa akte noteriale të paraqitura, para trupës gjykuese, nga subjekti i rivlerësimit, janë legalizuar në Shqipëri në kundërshtim me ligjin nr. 7829, datë 1.6.1994 “ Për Noterinë”, pasi thëniet e dëshmitarëve janë marrë jashtë territorit të Shqipërisë.

Subjekti i rivlerësimit pasi i kërkoi trupës gjykuese disa ditë kohë për të bërë prapësimet e tij, kërkesë që u rrëzua, pretendoi se deklaratat noteriale, të depozituara nga ai kanë vlefshmëri,  sipas një praktike të pranuar nga të gjitha shkallët e gjykimit, pas viteve ’90-të.

Trupa gjykuese lejoi marrjen si provë të një akti shkresor, të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit dhe pasi dëgjoi palët në proces, e deklaroi të mbyllur hetimin gjyqësor.

Trupa gjykuese vendosi që seanca për paraqitjen e konkuzioneve përfundimtare të zhvillohet , më datë 2. 5. 2019, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni:  www.ikp.al  

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF