2.5.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Edmond Islamaj, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Komisioneri Publik dhe subjekti i rivlerësimit paraqitën konkluzionet përfundimtare.
Komisioneri Publik u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimimit pas administrimit të provave të tjera të marra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, gjatë gjykimit të çështjes, duke kërkuar nga trupa gjykuese që në vendimin gjyqësor përfundimtar të shprehet për bazueshmërinë e tyre.
Bazuar në konkluzionet përfundimtare, Komisioneri Publik u shpreh se subjekti i rivlerësimit për kriterin e vlerësimit të pasurisë ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në kuptim të pikave 3 dhe 5 të nenit D, të aneksit të Kushtetutës dhe neneve 33 dhe 61, pikat 3 dhe 5, të ligjit nr. 84/2016, duke kërkuar nga trupa gjykuese ndryshimin e vendimit nr. 22, datë 7.6.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Edmond Islamaj.
Trupa gjykuese e deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe u tërhoq në dhomë këshillimi për të shpallur vendimin më datë 22 maj, në orën 15:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe konkluzionet përfundimtare janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.