12.6.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, magjistrat/gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Komisioneri Publik në parashtrimet e çështjes njohu trupin gjykues me shkaqet e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik nuk ka kryer hetim të plotë dhe për rrjedhojë nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, referuar nenit D të aneksit të Kushtetutës.

Komisioneri Publik kërkoi që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, vetëm pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim mbi burimin e ligjshëm, saktësinë dhe mjaftueshmërinë e deklarimit të pasurisë/likuiditetet e subjektit të rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, dhe personave të lidhur me të, në zbatim të nenit 59 dhe 61 të ligjit nr. 84/2016, të vendosë në mënyrë alternative:

– Ndryshimin e vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ose

– lënien në fuqi të këtij vendimi.

Ndërkohë, në parashtrimet e saj, subjekti i rivlerësimit, znj. Nertina Kosova kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të çelë hetimin dhe të administrojë në cilësinë e provës 61 akte të reja.

Seanca vijuese për administrimin e provave u caktua më datë 21.6.2019, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.  PDF