17.6.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 60, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentian Medja, magjistrat/gjyqtar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e çështjes, njohu trupin gjykues me shkaqet e ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në vlerësimin e Komisionerit Publik nuk ka kryer hetim të plotë për vlerësimin e aftësive profesionale.

Nisur nga kompetencat kushtetuese dhe ligjore, që i njihen Kolegjit në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, veçanërisht në orientimin e praktikës së Komisionit në çështje të ngjashme (neni 66/2 i ligjit nr. 84/2016), Komisioneri Publik kërkoi që, nëpërmjet ankimit të paraqitur dhe akteve bashkëlidhur, të parashtrohet një metodologji në lidhje me vlerësimin e burimeve të aftësisë profesionale për subjektet e rivlerësimit, në zbatim të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016.

Subjekti i rivlerësimit, z. Gentian Medja, kundërshtoi shkaqet e ankimit, duke parashtruar se mangësitë e konstatuara në dosjet e përfshira në hetimin administrativ, sipas tij, nuk janë thelbësore dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Për shkak të kompleksitetit të çështjes, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të zhvillojë seancën e ardhshme më datë 9.7.2019, ora 10.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF