17.6.2019
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 32, datë 5.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë seancës gjyqësore, trupi gjykues rrëzoi kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të përcaktuar nivelin e provueshmërisë së të gjitha akteve të depozituara, në këndvështrim të neneve 32/2 dhe 52/2 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Subjekti i rivlerësimit kërkoi më pas pezullimin e shqyrtimit gjyqësor, me pretendimin se është në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative për vërtetim fakti. Trupi gjykues e rrëzoi edhe këtë kërkesë dhe më pas, i konsultuar në vend, rrëzoi edhe pretendimin e avokatit të subjektit të rivlerësimit, se analiza financiare, sipas tij, tejkalon shkaqet e ankimit.
Subjekti i rivlerësimit, përmes një tjetër kërkese procedurale, kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, i cili, në referencë të nenit 75 të Kodit të Procedurës Civile, vendosi të vijojë shqyrtimin e çështjes me parashtrimet për analizën financiare.
Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, vlerësoi se analiza financiare evidenton mungesën e burimit të ligjshëm të të ardhurave të subjektit të rivlerësimit, sikundër konstatohet edhe në ankimin e tij.
Seanca për konkluzionet përfundimtare u caktua më datë 2.7.2019, ora 13.30.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.