21.6.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, magjistrat/gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e tij, për vlerën provuese të akteve të reja, të vëna në dispozicion nga subjekti i rivlerësimit, i çmoi ato të vlefshme për hetimin e secilit prej shkaqeve të ankimit.

Nisur nga rrethanat e çështjes dhe parashtrimet e subjektit të rivlerësimit, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të kryejë një analizë financiare, duke përfshirë të ardhurat dhe pasuritë e personave të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit.

Trupi gjykues, pasi dëgjoi edhe subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, e cila u pajtua me parashtrimet e Komisionerit Publik, vendosi të kryejë analizën financiare, sipas kërkesës së Komisionerit Publik, për ta prezantuar në seancën e radhës, që do të zhvillohet më datë 26.6.2019, ora 13.00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF