25.6.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisioneri Publik, në parashtrimet e çështjes, njohu trupin gjykues me shkaqet dhe çështjet konkrete të ankimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke arritur në përfundimin se konfirmimi në detyrë i subjektit të rivlerësimit është mbështetur në arsyetime dhe interpretime të gabuara të dispozitave kushtetuese dhe legjislacionit të posaçëm.

Sa më sipër, Komisioneri Publik, referuar provave dhe gjetjeve nga hetimi administrativ, në referencë të dokumenteve dhe pretendimeve, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, çmoi se ky i fundit për kriterin e kontrollit të pasurisë nuk arrin të përmbushë detyrimin ligjor, të përcaktuar në nenin D, të aneksit të Kushtetutës dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshimin e vendimit nr. 46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori.

Në parashtrimet e tij, subjekti i rivlerësimit, z. Xhezair Zaganjori, duke kundërshtuar shkaqet e ankimit, pretendoi se Komisioneri Publik parashtroi fakte të reja, për të cilat, sipas tij, ai nuk ishte në dijeni dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të administrojë në cilësinë e provës 23 akte shkresore.

Trupi gjykues caktoi seancën e radhës më datë 10.7.2019, ora 9.30, për shqyrtimin e provave të depozituara dhe për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit për të identifikuar elementet e reja, të pretenduara në parashtrimet e Komisionerit Publik.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF