29.7.2019
Në datë 1.7.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Artan Madani, prokuror/drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë.
Sot, më datë 29.7.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit, z. Artan Madani.
Komisionerët Publikë, pasi të njoftohen me shkrim për vendimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Ky vendim ende nuk është njoftuar.
Referuar pikës 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publikë.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.