23.6.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
Në çelje të seancës, Kryesuesja e trupit gjykues kërkoi opinionin e palëve për aktet e dërguara nga institucionet, në funksion të hetimit gjyqësor dhe provave të reja të subjektit të rivlerësimit.
Komisioneri Publik, në qëndrimin e tij, u shpreh se aktet e administruara plotësojnë hetimin e kërkuar në shkaqet e ankimit.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, shprehu dakordësinë me dokument-përgjigjet e institucioneve, ndërsa kundërshtoi si të pabaza pretendimet e ngritura në dy denoncime, që sipas saj janë bërë nga persona të hetuar nga ajo, për vepra penale.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të rikërkojë në Bashkinë Fier aplikimin e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit dhe dokumentet mbështetëse, që kanë shërbyer si bazë për vendimin nr. 46, datë 30.10.2012, të Këshillit Bashkiak Fier, për miratimin e listës emërore të familjeve të pastreha, pjesë e së cilës ishte edhe bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit.
Në pritje të këtij dokumentacioni, trupi gjykues vendosi që seanca e ardhshme, për paraqitjen edhe të konkluzioneve përfundimtare, të zhvillohet më datë 2.7.2020, ora 9:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.