22.7.2020
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 112, datë 4.3.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Dritan Peka, prokuror, Drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Në çelje të seancës, përfaqësuesi ligjor i subjektit të rivlerësimit parashtroi kërkesën për riçelje të hetimit administrativ dhe marrjen e provave të reja në funksion të ankimit të Komisionerit Publik.
Komisioneri Publik, nga ana e tij, u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit dhe i paraqiti trupit gjykues kërkesën për kryerjen e analizës financiare lidhur me mjaftueshmërinë financiare të subjektit të rivlerësimit për periudhën 2010 – 2016. Komisioneri Publik referoi gjithashtu qëndrimin për denoncimet nga publiku, të administruara nga KPA-ja, pak ditë më parë dhe kërkoi nga Kolegji që juridiksionin kontrollues të vendimit të KPK-së, për subjektin, z. Dritan Peka, ta ushtrojë për të tria kriteret e rivlerësimit.
Subjekti i rivlerësimit kundërshtoi shkaqet e ankimit dhe u shpjegua edhe lidhur me denoncimet e referuara në ankimin e Komisionerit Publik, por kërkoi kohë për të dhënë qëndrimin e tij për denoncimet e administruara në KPA. Në vijim të prapësimeve, përfaqësuesi i tij ligjor kërkoi administrimin e provave të reja në funksion të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.
Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe lejimin e marrjes në cilësinë e provave të tri akteve të reja, të sjella nga subjekti i rivlerësimit. Trupi gjykues njoftoi se për kërkesën e Komisionerit Publik, për kryerjen e analizës financiare, do të vendosë pasi të dëgjojë qëndrimin e tij lidhur me provat e administruara dhe vendosi të mos hetojë lidhur me denoncimin e mbërritur në adresën elektronike të Institucionit të Komisionerëve Publikë, datë 15.4.2019, pasi denoncimi nuk përmban indicie për prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit, siç përcaktohet në nenin 53/1, të ligjit nr. 84/2016.
Trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 14.9.2020, ora 10:00, për t’u dhënë palëve mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre lidhur me provat dhe denoncimet nga publiku.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF