20.12.2021
Në mbledhjen e datës 20 dhjetor 2021, Këshilli i Ministrave ka miratuar një ndryshim në VKM-në nr. 929/2010, të ndryshuar, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë” për shpërblimet e punonjësve.
Sipas pikës 1, të VKM-së, së ndryshuar, publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, punonjësit e Institucionit të Komisionerëve Publikë mund të përfitojnë një shpërblim, masa e të cilit, nuk tejkalon nivelin e një page mujore. Efektet financiare për këtë shpërblim, sipas VKM-së, përballohen nga fondi për pagat e personelit për institucionet, miratuar në buxhetin e vitit 2021.
Referuar këtij përcaktimi në Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe pasqyrave të zërave të buxhetit, të rakorduara me Ministrinë e Financave, të cilat janë publike, Institucioni i Komisionerëve Publikë ka në dispozicion një fond të papërdorur në zërin, “shpenzime personeli”, në vlerë 220.572 lekë, afërsisht 4% të fondit të nevojshëm për zbatimin e VKM-së, që do të mundësonte shpërblimin e punonjësve me një pagë mujore.
Nisur nga kjo rrethanë, Mbledhja e Komisionerëve Publikë, ka vendosur të përjashtohen nga shpërblimi dy Komisionerët Publikë; Këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor, Kancelari dhe dy Drejtorët e drejtorive.
Pjesa e mbetur e fondit do t’i shpërndahet punonjësve administrativë; specialistë, arkivistë, sanitarë, magazinier, shofer, mirëmbajtës, në vlerën rreth 13.785 lekë për secilin.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.