6.1.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  z. Erion Pano, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, aktualisht i komanduar në pozicionin e Këshilltarit pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 592/2022 të Komisionit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, për të cilat çmon se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 592, datë 24.11.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erion Pano.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF