3.2.2023
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 605, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Armida Hamiti (Moçka), prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 605/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe gjendjes së akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, për të cilat çmon se ky vendim është i cenueshëm, pasi përfundimet e arritura nga Komisioni nuk janë në pajtueshmëri me provat e administruara.
Komisioneri Publik vlerëson se, në gjendjen që janë aktet, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm në kontrollin e pasurisë dhe, për pasojë, kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që, në përfundim të një hetimi të plotë të çështjes, të ndryshojë vendimin nr. 605, datë 21.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe të shkarkojë nga detyra subjektin e rivlerësimit, znj. Armida Hamiti (Moçka).
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.