14.2.2023
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 600, datë 19.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Robert Kote, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 600, datë 19.12.2022, të Komisionit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, për të cilat çmon se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij, pasi përfundimet e arritura nga Komisioni duket se nuk janë në pajtueshmëri me provat e administruara.
Komisioneri Publik vlerëson se, në gjendjen që janë aktet, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë dhe, për pasojë, kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim të plotë, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 600, datë 19.12.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Robert Kote.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.