9.5.2023
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 632, datë 8.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Laurent Fuçia, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Vlorë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 632, datë 8.3.2023, në zbatim dhe të Rekomandimit të ONM-së, çmon se ky vendim është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 632, datë 8.3.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Laurent Fuçia.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.