12.5.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 657, datë 28.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta, i shortuar si Ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë.

Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 657, datë 28.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se në tërësinë e tij, ky vendim është i paqartë dhe i paarsyetuar në mënyrë bindëse në drejtim të shkakut ligjor të përmbylljes së procesit të rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta, në kushtet e nenit 95 të Kodit të Procedurës Administrative, duke justifikuar kështu, mosaplikimin e nenit G të aneksit të Kushtetutës, sikundër jurisprudenca gjyqësore e Kolegjit përcakton për këto raste.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66/1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë  ndryshimin e vendimit nr. 657, datë 28.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF