17.5.2023

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 535, datë 26.5.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit,  z. Bledar Bejko, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi vendimin e trupit gjykues në lidhje me denoncimet nga publiku.

Trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi të çelë hetimin për 3 nga 5 denoncimet e depozituara në Kolegj, duke kërkuar informacion në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës, për çështjet e referuara në këto denoncime.

Subjekti i rivlerësimit kërkoi të paraqesë qëndrimin e tij mbi pyetjet e drejtuara nga relatorja e çështjes, në seancën e djeshme, por kryesuesja e trupit gjykues i kërkoi që ta depozitonte atë në Kolegj, përmes sekretarisë gjyqësore, duke njoftuar në të njëjtën kohë shtyrjen e seancës për në datën 19.6.2023, ora 10:00.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF