20.6.2023
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 660, datë 16.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Majlinda Andrea, me funksion ish-gjyqtare në Gjykatën e Lartë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 660/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe aktet shoqëruese të tij, çmon se ai është i cenueshëm dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 660, datë 16.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, znj. Majlinda Andrea, pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti ka humbur statusin e magjistratit.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.