30.6.2023

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 675, datë 16.6.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Alfred Balla, ish-Ndihmësligjor në Gjykatën ë Lartë, aktualisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik konstaton se vendimi nr. 675/2023, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk gjen mbështetje në legjislacionin që normon procesin e rivlerësimit, duke arsyetuar se  vazhdimi i procesit të rivlerësimit për subjektin, z. Alfred Balla, ishte parakusht i padiskutueshëm dhe në kuptim të parashikimeve kushtetuese, për shkak se subjekti i rivlerësimit ushtron detyrën në një nga organet më të larta kushtetuese, ku ndërprerja e procesit të rivlerësimit parashikohet si pengesë ligjore për emërimin e tij për një periudhë 15-vjeçare.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin e  vendimit nr. 675/2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për  subjektin e rivlerësimit, z. Alfred Balla, dhe ndalimin e emërimit të tij gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF