6.7.2023
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 276, datë 21.7.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Brahimi, aktualisht me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Pas verifikimit të pranisë së palëve, kryesuesja e seancës njoftoi se Gjykata e Lartë kishte përcjellë në Kolegj dosjen e kërkuar në funksion të shqyrtimit gjyqësor dhe se materialet u ishin përcjellë palëve në proces, së bashku me një kërkesë të një shtetaseje, që ngrinte pretendimet e saj për një çështje të gjykuar nga subjekti i rivlerësimit.
Komisioneri Publik, pasi konfirmoi se ishte njohur me fashikullin e çështjes penale, të dërguar nga Gjykata e Lartë, në qëndrimin e tij mbi këto akte, bazuar në përmbajtjen e procesverbaleve të administruara nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, referuar pretendimeve të ngritura në denoncimin e bërë publik në media, përcjellë nga ONM-ja, u shpreh se rezulton se materiali vizual, në cilësinë e provës, i është nënshtruar debatit gjyqësor dhe mendimit të ekspertëve të autoteknikës, gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes në këtë gjykatë, në përputhje me dispozitat e K. Pr. P., Komisioneri Publik konstatoi se, bazuar në ankimin e Prokurorisë, shqyrtimi i mëtejshëm i çështjes dhe provave do të duhet të kontrollohet nga Gjykata e Lartë, aty ku çështja pret të shqyrtohet.
Subjekti i rivlerësimit, në qëndrimin e saj mbi aktet e Gjykatës së Lartë, iu qëndroi prapësimeve se denoncimi nga publiku nuk përmbushte kriteret ligjore dhe më pas parashtroi objeksionet e saj në lidhje me shkaqet e ankimit mbi kriterin e pasurisë, duke kërkuar edhe administrimin e provave të reja.
Trupi gjykues vendosi të administrojë në cilësinë e provës fashikujt e përcjellë nga Gjykata e Lartë për çështjen penale dhe aktet shkresore të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit në seancën e sotme gjyqësore. Për sa i përket kërkesës së shtetases, së cituar më lart, trupi gjykues vlerësoi se ajo nuk përmban elementet e kërkuara nga neni 53, i ligjit nr. 84/2016 dhe, si e tillë, nuk do t’i nënshtrohet hetimit gjyqësor të çështjes.
Në kushtet kur palët nuk parashtruan kërkesa të tjera procedurale, trupi gjykues vendosi të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe të shtyjë seancën për në datën 19.7.2023, ora 11:30, për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.