29.1.2024

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 724, datë 13.12.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Agovi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Edhe në rastin konkret, Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij kushtetuese dhe ligjore, konstaton se nga shqyrtimi i vendimit nr. 724/2023, të Komisionit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që vijnë në kundërshtim me vlerat themelore dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes, të vendosura në themel të mbrojtjes dhe forcimit të besimit të publikut, me ligjin nr. 96/2016, dhe përbëjnë shkak për vlerësimin tërësor të procedurave sipas përcaktimit të nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 724, datë 13.12.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Agovi.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF