13.3.2024
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 736, datë 31.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Gentjan Habazaj, me funksion prokuror, aktualisht me detyrë Këshilltar ligjor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 736/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, konstaton se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës mbi kriteret e kontrollit të pasurisë dhe aftësive profesionale.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 736, datë 31.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentjan Habazaj.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.