3.4.2024
Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 739, datë 26.2.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Mimoza Margjekaj, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës.
Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 739/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, referuar edhe jurisprudencës së Kolegjit çmon se, në rastet e dënimit të magjistratëve me një vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, ushtrimi i kompetencës nga ana e institucioneve të rivlerësimit, për efekt të procesit të rivlerësimit, duhet të konkludojë me një vendim konstatues të ndërprerjes pa vendim përfundimtar të procesit, për sa kohë juridiksioni i zakonshëm disiplinor ka ushtruar kompetencën e tij, ashtu sikundër e detyron Kushtetuta, duke mbaruar statusin e magjistratit, për shkak të shkarkimit nga detyra.
Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e parashtruara në këtë ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe për znj. Mimoza Margjeka, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë:
– Ndryshimin e vendimit nr. 739, datë 26.2.2024, të Komisionit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
– Të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit, znj. Mimoza Margjeka, pa një vendim përfundimtar, për shkak se subjekti ka humbur statusin e magjistratit.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: https://ikp.al/ankime
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.