23.5.2024

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 757, datë 9.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Erjon Shqarri, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.

Komisioneri Publik, nga shqyrtimi i vendimit nr. 757/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në konsideratë edhe të rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), konstaton se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës mbi gjetjet e rezultuara nga hetimi administrativ.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë të çështjes, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 757, datë 9.4.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Erjon Shqarri, për një periudhë njëvjeçare, dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

 

PDF