14.6.2024

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 767, datë 29.5.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Sofia Zhilla, ish-inspektore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Komisioneri Publik, pas shqyrtimit të vendimit nr. 767/2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, çmon se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar në situatën faktike të dokumentuar nga aktet në fashikull dhe nuk gjen mbështetje në kuadrin kushtetues e ligjor të zbatueshëm.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, të ndryshojë vendimin nr. 767, datë 29.5.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj subjektit të rivlerësimit, znj. Sofia Zhilla dhe ndalimin e emërimit të saj gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

PDF