25.6.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 657, datë 28.4.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta, me funksion Ndihmësligjor në Gjykatën e Lartë, aktualisht Inspektor pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palët janë njohur me parashtrimet dhe i ftoi t’i paraqisnin edhe në seancën gjyqësore.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi se në parashtrimet e Komisionerit Publik ishin përfshirë shkaqe shtesë dhe se në kundërshtim të tyre kishte përgatitur prapësime shtesë.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar shkaqeve të ankimit, çmoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për deklarimin të përfunduar të procesit të rivlerësimit, pa një vendim përfundimtar, për subjektin e rivlerësimit, z. Periand Teta, nuk është marrë në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore. Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të ndryshojë vendimin nr. 657/2023, të KPK-së duke vendosur ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit z. Periand Teta dhe ndalimin e emërimit të tij gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoriarit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.
Subjekti i rivlerësimit pretendoi të kundërtën e shkaqeve të ankimit dhe në prapësim të tyre depozitoi prova shtesë. Në përmbyllje, subjekti i rivlerësimit kërkoi nga trupi gjykues, që në mënyrë alternative, të vendosë lënien në fuqi të vendimit të KPK-së ose ndryshimin e këtij vendimi duke urdhëruar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të vijojë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Periand Teta.
Trupi gjykues, i konsultuar në dhomë këshillimi, vendosi të çëlë hetimin gjyqësor dhe të administrojë provat e depozituara në seancë nga subjekti i rivlerësimit. Në kushtet kur palët nuk paraqitën kërkesa të tjera, trupi gjykues mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, vendosi të shtyjë seancën më datë 28.6.2024, në ora 9:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.