17.7.2024
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Hoxha, gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës bëri me dije se palëve iu ishin vënë në dispozicion parashtrimet mbi shkaqet dhe kundërshtimet e ankimit dhe, pasi ata konfirmuan se janë njohur me aktet e sipërcituara, i ftoi t’i paraqisnin edhe gjatë seancës gjyqësore.
Komisioneri Publik, duke iu qëndruar gjetjeve në ankim, bazuar edhe në rekomandimin e ONM-së, çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk ka arritur të provojë të kundërtën lidhur me rezultatet e hetimit mbi kontrollin e pasurisë, aftësive profesionale dhe kriterit të figurës, si dhe për rastet e konstatuara të konfliktit të interesit dhe gjetjeve të tjera në rekomandim. Në përmbyllje, Komisioneri Publik kërkoi nga trupi gjykues ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Hoxha.
Subjekti i rivlerësimit, përmes përfaqësueses ligjore, pretendoi për të kundërtën e shkaqeve të ankimit, duke i cilësuar ato të pabazuara në prova dhe depozitoi për administrim akte shtesë.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, vendosi të mos pranojë aktet shtesë, duke konsideruar se një prej tyre është pjesë e prapësimeve të subjektit të rivlerësimit dhe se akti tjetër mund të konsultohej online në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
Në kushtet kur Komisioneri Publik kërkoi afat të arsyeshëm për paraqitjen e bisedimeve përfundimtare, trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës më datë 22.7.2024, ora 10:00
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. PDF